Arkeologjia n Berat

 

 

 

TREVA E BERATIT DHE HARTA ARKEOLOGJIKE E SAJ

 

     Treva e Beratit, përfaqëson shkencërisht kulturën para ilire dhe ilire, e cila lulëzoi duke i rezistuar kulturave Greko Romane. Kjo kulturë, përfaqësohet aktualisht me shpellën e Katundasit (I), me 12 vendbanimet e fortifikuara antiko dhe mesjetare si dhe me rreth 300 qendra dhe pika arkeologjike. Ky material është i evidentuar skeduar dhe i vendosur në artën arkeologjike.

     Para se të pozicionoja dhe të jepja mendimin kohor të vlerave kulturore, e shoh me interes për mendimin shkencor, për ta par këtë zonë nga ana tektonike dhe strukturale. Në bazë të vëzhgimeve tona del se, paraardhësit tanë vendbanimet, ndërtimet dhe qendrat e tyre, i vendosnin në bazë të një “ndjesie” shkencore. Po ti shohim me kujdes të gjitha këto vendbanime, del se zënë pjesën lindore  të zonës tektonike-jonike e cila bën pjesë në Albanidet e jashtme (2). Ndërsa, në lidhje me strukturën, vendbanimet e fortifikuara janë vendosur kryesisht në brezin antiklinar të Beratit si dhe atë të Tomorit. Ky brez, përbëhet nga vargje me shtrirje 310 gradë me 130 gradë në pjesën jugore dhe në drejtim të veriut kalojnë në ozimute 340 gradë me 170 gradë dhe në këtë shtrirje, të gjitha fortifikimet formojnë një lakim të lehtë.

    Interesant është fakti i vendosjes së vendbanimeve të fortifikuara, urave dhe të ndërtimeve të tjera. Paraardhësit tanë, me sa duket, i njihnin mirë konstruksionet tokësore. Ata e dinin mirë ku ishin shtresat gëlqerore (karbonatet) dhe ishin të sigurtë se do të gjenin vedbanime shpellore (shpella e Katundasit) dhe më vonë, në këto formacione, do të ndërtonin vendbanime të fortifikuara si ai i Beratit (3), kalaja e Mbolanit (4), kalaja e Goricës, gjithashtu njihnin depozitimet flishore të Oligocenit, ku mungojnë vendbanimet shpellore, por janë të hapura si ai i Kozares, Perondisë, Lapardhasë, Bilçës etj.

     Duke dashur të futemi në thellësitë e mijëvjeçarëve, po e hedhim pak dritë mbi gjurmët e para jetësore-njerëzore të kësaj treve. Në vitin 1979 u zbulua shpella e Shahinovës pranë Urës Vajgurore (5). Në krah të kësaj shpelle, u gjendën disa trupa dhe pjesë trupash të fosilizuara (shih foton nr.1). Sipas mendimit tim, kishin të bënin me gjurmët e para të fillesës së shoqërisë njerëzore, e cila afërsisht datohet në moshën e kuaternarit. Duke qënë se një fragment eshtre i fosilizuar është ruajtur, duke i bërë analizat me metodat bashkëkohore, mund të përcaktojmë saktësisht datën. Por ajo që flet për një jetë të organizuar në bashkësi është shpella e Katundasit.

     Kjo shpellë, e zbuluar në vitin 1980 u ezaurua gjatë gërmimeve arkeologjike në vitin 1986 nën drejtimin e Myzafer Korkutit (6). Gjatë gërmimeve doli një material i bollshëm arkeologjik (shih objektet nr.2) dhe në bazë të studimit të tyre doli se kjo shpellë është e banuar që nga Neoliti I hershëm dhe në vazhdimsi, deri në mesjetën e mesme. Me shumë interes ishin edhe zbulimet në nekropolin pranë kësaj shpelle (shih objektet nr. 3) ku dolën shumë objekte qeramike që datoheshin në shekullin e IX p.e.r.

     Duke pasur parasysh kronologjinë kohore, po në fshatin Salcë Kozare (7), një vend krejtësisht fushor, i hapur janë gjetur disa objekte në qeramikë e bronz që shpëtuan nga një masakër vandaliste (shih figurat nr. 4). Eshtë fjala për ndërtimin e një rezervuari për ujë të pishëm mbi një varrezë të periudhës së hekurit të mesëm. Më e keqja është se, me dhjetra objekte u thyhen dhe me zi gjetëm pak objekte dhe një majë heshte të gjerë prej bronzi shumë interesante, ndoshta dhe e vaçantë. Po të njëjtin fat patën edhe objektet e të njëjtës kohë, të gjetura afër Uznovës, në themelet e ish zyrave të uzinës së baterive (shih figureën nr.5), si dhe dy shtiza prej bronzi për thurje liri, të gjetura në Bilçë së bashku me disa kafka (8).

 

1.      P. Belli, S. Strova: Iliria nr.1 1983

 

2.      H. Shehu: Gjologjia në Shqipëri – temë doktorature

 

3.      H. Spahiu: Libri “Berati antiko – mesjetar” 1990

 

4.      S. Starova: Kalaja e Mbolanit Iliria nr. 1 1988  faqe 167 - 169

 

5.      S. Starova: Shpella e Shahinovës – gazeta Bashkimi 1981

 

6.      S. Starova: Ekspedita arkeologjike në shpellën e Katundasit gazeta Kushtrimi 16.8.86

 

7.      S. Starova: Objekte arkeologjike të Salcë Kozare gazette Kushtrimi 9.8.90

 

8.      A. Dhima: Iliria nr. 1  1988  faqe 188 – 189

 

9.      S. Starova: Shpellat e Beratit gazeta Bashkimi 3.6. 1984 

 

     Duke pasur si qëllim ezaurimin e trevës së Beratit është mbledhur një dokumentacion i shkruar, si dhe shumë objekte arkeologjike. Në bazë të studimit të tyre dhe punës konkrete në terren del se, në këtë trevë ka shumë vendbanime shpellore, vendbanime të fortifikuara si dhe të hapura. Në këtë kontekst, në këtë trevë janë zbuluar 6 shpella, 12 vendbanime të fortifikuara dhe rreth 300 qendra dhe pika arkeologjike. Vendbanime shpellore gjenden në karbohidratet e Katundasit, të Tomorit, të Shpiragut si dhe pranë gurorës së Urës vajgurore (9).

     Përsa i pëket vendbanimeve të fortifikuara është bërë një dokumentacion i saktë shkencor ku, disa prej tyre u është bërë planimetria. Kryesisht këto vendbanime janë antike.

     Kalatë kryesore të kësaj treve janë: Kalaja e Beratit, e Biftës, e Goricës, e Mbjeshovës, e Dimalit, e Balibardhës, e Tomorit, e Mbolanit, e Vokopolës, e Peshtanit, e Temanit dhe e Velabishtit. Në kalatë e Beratit, e Dimalit, e Mbolanit dhe Goricës janë bërë gërmime arkeologjike.