Aktivitet i organizuar nė bashkpunim me Arkivin e Shtetit dhe Muzeun "Onufri" pėr vlerat e kodikėve tė Beratit.

Aktivitet i organizuar nė bashkpunim me Arkivin e Shtetit dhe Muzeun

Në fondin arkivor të AQSh-së ruhet një koleksion i veçantë dokumentesh, i emërtuar Fondi i Kodikëve të Shqipërisë. Ky fond mban numrin 488 dhe përmban 117 kodikë të periudhës bizantine dhe pas bizantine, të sistemuar në dosje apo njësi të veçanta ruajtjeje. Nga këta kodikë, 116 janë të shkruar në gjuhën greke (klasike dhe bizantine) dhe 1 syresh në latinisht. Duke i bërë një saktësim numrit 117 të dhënë më sipër, theksojmë se vetëm 100 prej këtyre dokumenteve janë njësi të plota ose pothuaj të plota, pra, libra të ruajtur mirë dhe të pa dëmtuar shumë nga koha. Kurse 17 njësitë e tjera janë fragmente fletësh apo një numri fletësh, të cilat në ndonjë rast janë pjesë e shkëputur e ndonjërit prej kodikëve të po këtij fondi.

 Nga fillimi i muajit maj të vitit 2010, për një muaj e gjysmë qëndroi e hapur në mjediset e AQSh në Tiranë ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, ku objekt i ekspozitës ishin 46 kodikë (në origjinal) të fondit për të cilin flasim, dhe 28 panele me pamje të përgjithshme apo detaje nga 54 kodikë. Për shkak të vështirësive praktike që paraqet çelja e së njëjtës ekspozitë në mjedise të tjera jashtë arkivit apo në qytete të tjera, ideja e promovimit edhe më gjerë të këtyre thesareve të vazhdohej përmes paneleve fotografike. Kështu, në bashkëpunim me Mitropolinë e Korçës dhe me pushtetin vendor të këtij qytetit, fillimisht u çel në Korçë. Po ashtu, ekspozita u hap edhe në Prishtinë, ku vizitorët patën mundësinë të shikonin për herë të parë pamjet e Fondit 488 të ekspozuara në mjediset e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës.

Së fundi, këtë ekspozitë e sollëm pikërisht në vendin ku kanë qëndruar një pjesë e madhe e këtyre librave, në kishën e Shën Mërisë, sot muzeu “Onufri” në kala të Beratit. Ekspozita, fillimisht, u çel ditën kur qyteti festonte 4- vjetorin e regjistrimit në regjistrin e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Kjo ekspozitë, që është nga më të rëndësishmet, ishte më e pakta që mund të bënim për t’i sjellë këto pasuri pranë qytetarëve të Beratit, apo vizitorëve të këtij qyteti në përgjithësi.

Ekspozita e “Dorëshkrimeve Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, përbën një ngjarje historike në jetën shpirtërore, kulturore dhe fetare të Shqipërisë. Çel një dritare mbi një pjesë, krijimtarie të shkëlqyer të së kaluarës, ofron një frymëmarrje jetëprurëse dhe të gëzuar në të tashmen dhe ripërtërin shpresën për promovimin e krijimtarisë kulturore të vendit  tonë në të ardhmen.Kjo ekspozitë qëndroi e hapur për vizitorët vendas dhe të huaj, prej më shume se tre muajsh në ambjentet e Muzeut Kombëtar Onufri, dhe ishte një bashkëpunim i frytshëm midis katër institucioneve të rëndësishme Drejtoria e Përgjithëshme e Arkivave, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, (Depatramenti i Historisë UT) Mitropolia e kishës Orthodhokse Berat, dhe Qëndra Kombëtare e Muzeumeve, Berat.

 

Kjo ekspozitë ishte në kuadrin e konceptit të muzeumeve që duhet të lëvizin dhe të jenë nga muzeume statikë në muzeume lëvizës që kurojnë dhe ofrojnë mundësi të reja bashkëkohore, dhe njëkohësisht edhe rrisim numrin e fluksit të Vizitoreve.