Muzeu Kombėtar Etnografik Berat

Muzeu Kombėtar Etnografik Berat

Kati përdhe                                                Kati sipër

Është i organizuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë popullore beratase. Ky tip banese është ndërtuar kryesisht nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytet me rentën feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në një krah. Kati përdhe, hajati, është i pabanuar.  Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri njëfishe të ndërtuar mbi qemerë guri.  Koha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Është pjesë e krijimtarisë popullore, e ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrat popullorë. Vëmëndja kryesore në këtë banesë i kushtohet volumeve të hapura të hajatit dhe çardakut. Kjo banesë është e pajisur me orendi të palëvizshme që shërbejnë për ruajtjen e objekteve shtëpiake, si kamare, sergjenë, dollapë muri, musëndër-mafil, pus, oxhakë etj. Kjo ndërtesë ka disa dhoma që shërbenin për ndëjtje, punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Në mjediset e këtij muzeu dallohet për kombinimin natyror me objekte masive muzeale. Krahas pusit, është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që e shtrydh ullirin për nxjerrjen e vajit. Gjithashtu ka shumë enë masive qeramike që kryesisht  përdoreshin për mbajtjen e lëngjeve.
Muzeu Etnografik, i organizuar në një nga shtëpitë  karakteristike dhe interesante të qytetit, me fondin e pasur të objekteve (mbi 1000 objekte muzeale) është një nga dëshmitë e kulturës dhe traditës mjaft të pasur dhe mjaft interesante të trevës së Beratit. 


 Pazari Mesjetar                                            


Kati përdhe  

Imitim i një  pazari  mesjetar në qytetin e Beratit.  

Në qendër kalon rruga dhe në të dy anët e saj janë dyqanet me qepena të qëndistarëve, kazanxhinjve, opingarëve, xhokaxhinjve dhe kujunxhinjve. Dyqanet ndaheshin sipas zejeve, nuk kishte ndarje sipas besimeve. Shpesh dyqanet e artizanëve të feve të ndryshme ishin pranë njeri tjetrit, dhe respektonin festat duke këmbyer dhe dhurata  festive. Por, ndodhte  që një zeje e trashëgonin më shumë mysliman ose kristianë, si p.sh. zeja e tabakëve pothuajse ishte e gjithë e myslimanëve të lagjes Çelepia, zeja e xhokaxhinjve pothuajse e gjithë e kristianëve. Kishte dhe zeje të përzjera si robaqepës, marangoz , bojaxhinj etj.
Pazari mesjetar, me zejet dhe objektet e shumta të ekspozuara si : veshje të burrave dhe grave të qëndisura me  figura në ar dhe argjend, ktyesisht nëpër veshjet e grave. Ka veshje të burrave dhe grave të zonës malore, objekte dhe elementë  të shumëllojta zbukurimi, serviset e bakrit etj. Në vitin 1670 një studius turk, Çelebiu, që kishte shetitur gjithë Europën, mbeti i befasuar nga traditat dhe kultura e trevës së Beratit dhe në veçanti në qendismat e veshjeve të grave, të cilat dilnin nga duart e djemve  të rinj. Figurat e krijuara, ishin kryesisht ato të luleve dhe gjetheve të marra nga natyra përreth. Po aq interesante janë dhe zbukurimoret me metale të çmuar, ku shkëlqen puna në  filigrant. Befasuese janë dhe punimet në relief mbi enët e përdorimit  të përditshëm.
    
Qendistar

Mjeshtër i të qëndisurit të veshjeve popullore me fije ari, argjëndi dhe gajtani. Veshjet e ekspozuara më tipike të trevës së Beratit i përkasin shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Veshjet e grave të qytetit, përdoreshin kryesisht në raste ceremoniale. Materiali i qendisur është prej  kadifeje, stofi dhe  mëndafshi.
Kostum grash i mëndafsh.
Kostum karakteristik, i përdorur në Shqipërinë  e Jugut. Përbëhej nga çitjanet, këmisha, jeleku, kallcat, shalli dhe këpucët e bardha.  Materiali përbërës është mëndafsh i qëndisur me argjend, ndërsa kallcat janë punuar me fije ari.  
Kostum grash kadife.
Përbëhet prej fundit kadife, këmishës së mëndafshtë, jelekut , fermelesë, çorapeve, një shamije koke të mëndafshtë  dhe këpucëve të zeza. Të gjithë elementet e veshjes janë të qendisura me ar.
Kostum grash fshati.
Karakteristik për zonat fushore të trevës së Beratit, e në veçanti ato myzeqare. Kostumi përbëhet prej fundit, bluzës, jelekut, përparëses, çorapeve, shamisë së kokës dhe këpucëve. Të gjitha këto janë në material pambuku dhe të punuara po me penj pambuku shumëngjyrësh.
Në dyqanet e zejes se qendistarëve punonin djem të rinj, mbasi vajzat nuk e kishin të moralshme të qendronin në dyqane, por mund të benin zejen e qëndistarit në shtëpi bashkë me nënat.

Kazanxhi

Mjeshtër që bën kazanë prej bakri dhe llamarine, me teknikën e rrahjes dhe të punimit në relief me inçizim dhe që merret me kallajisjen e ndreqjen e tyre. Punimet e ekspozuara janë enë të përdorimit të përditshëm, si kazanë, tepsi. Janë kryesisht të shekullit XIX.

Xhokaxhi

Mjeshtër që qep xhoka, guna, ose veshje të tjera prej shajaku. Kostumi i burrave të zonës malore të trevës së Beratit, përbëhej prej tirqeve, jelekut, xhokës, këmishës, qylafit dhe opingave me xhufka. Shpesh mbi këtë kostum, gjatë  stinës  së ftohtë, mbahej guna e dhirtë. Motivet e përdorura janë të  thjeshta, me vizim gjatë anëve dhe xhepave, me fije leshi në ngjyrë të zezë.

Kujunxhi

Mjeshtër i punimit të arit, argjendit dhe bronzit. Teknika e përdorur prej  tyre, ka qënë ajo e rrahjes, stampimit si dhe e filigranit. Punimet e ekspozuara datohen kryesisht, nga mesi i dytë i shekullit XIX. Krahas objekteve të zbukurimit, si breza, çanta, togza, vezme etj., janë edhe veglat e punës.
                                                                                        

Kati Sipër

1-Çardaku

Çardaku zë vendin qendror në banesë. Gjatë stinëve të ngrohta merr funksione të qarta banimi. Duke qenë i hapur dhe me sipërfaqe të madhe, plotëson një pjesë të aktivitetit të jetës shtëpiake.  Kjo shihet në qoshqet e tij të ngritura më lartë dhe të kufizuara me dritare si të jetë mjedis banimi. Qoshku është një element i rëndësishëm i çardakut, është i pajisur me mindere, velenxa e qilima. Qoshku kryesor zë krejt gjerësinë e çardakut, ndërsa përbri tij lartësohet qoshku i dytë, i cili ngrihet jashtë sipërfaqes së çardakut mbi shkallë, që përdorej për miqë të veçantë. Balli i çardakut mbrohet me strehë të gjera. Çardaku si mjedis i hapur, është ndërtuar me dru, ndryshe nga pjesa tjetër e banesës që është e ndërtuar me gurë. Mungesa e tavanit lidhet me proceset bujqësore-blegtorale që kryheshin në çardak. Shpesh në çardak punoheshin zejet sidomos tezgjahu. Në shumë banesa me çardak ka gjurmë të instalimit të tezgjaut. Çardaku i vendosur në qoshe të ndërtesës është një nga mjediset më karakteristike të arkitekturës popullore. Në shumë banesa të Beratit, mjedisi i çardakut është zënë për të krijuar mjedise shtesë për shkak të zgjerimit të familjes.
Tre dritare të pozicionuara në pjesën veriore janë shumë funksionale dhe në ditët e nxehta hapen dhe nëpërmjet tyre qarkullon ajri duke ulur ndjeshëm temperaturën. Me anën e këtij çardaku të hapur komunikojmë me të gjitha ambjentet e brendëshme (dhomat) dhe për këtë, janë në funksion katër dyer të ulëta që të imponojnë respekt.


Dhoma e tezgjahut

Dhoma e tezgjahut shërbente për kryerjen e të gjitha punimeve për nevoja vetëjake. Këtu aktualisht janë dy tezgjah funksional, ku njëri prej tyre është dy shekullor. Bashkë me tezgjahet, janë dhe shumë krëhër dhe lisa që shërbejnë për prodhimin e qilimave, rrugicave etj. Interesant është fakti se në këtë dhomë në mënyrë funksionale prezantohet prodhimi i copave. Këtu kemi krehjen e leshit, furkën, drugzën për tjerje, çikrikun për mbledhjen e fillit, deri në endje për  në tezgjah. Puna në tezgjah kryhesh nga grate, të cilat, krahas punës në tezgjah mbanin dhe tundnin fëmijët në djep dhe gatuanin, pra kishin shumë ngarkesë.

Dhoma e miqve në fshat

Kjo dhomë është trajtuar duke patur parasysh traditën popullore të trevës sonë. Në këtë dhomë janë shtruar me dyshekë dy qoshet ku, në  njërën rrinte i zoti i shtëpisë dhe në tjetrën miku, të tjerët uleshin me rradhë sipas moshës. Në qendër është vendosur sofra e kompletuar me pajisjet e të ushqyerit. Në katër anët e dhomës, janë sergjenët ose (tartabenët) ku vendoseshin enët e përdorimit të përditshëm. Në oxhak varej gjymçja e ujit dhe shpesh ishte dhe saçi. Kjo dhomë ka mafil për gratë, dollapët e rrobave (musëndrat), si dhe dollapët  e murit.
Në krahët e oxhakut janë dy kamare. Në këtë dhomë, miqtë hanin, bisedonin dhe flinin. Dhoma ka banjën e saj, ku ata laheshin.

 Guzhina

Guzhina është në pozicionin qendror, midis dhomës së fshatit dhe asaj të qytetit. Kjo guzhinë është interesante për faktin se ndriçimin e merr nga sipër , nga baxhaja, që në vetëvete përfaqëson një zgjidhje të shkëlqyer arkitektonike, për vetë faktin, se pozicioni i kësaj dhome nuk mund të përballohet me ndricimin indirekt. Në guzhinë janë vendosur të gjitha enët e përdorimit të përditshëm mbi sergjenët dhe te vatra.
    
 
Dhoma e miqve në Berat

Ky ambient karakteristik, merr ndriçim të plotë nëpërmjet shumë dritareve dhe ka një  mafil funksional. Kjo dhomë e kompletuar me oxhakun tepër interesant, me dy kamare anësore dhe me vatër tipike, me musendër dhe me dollape muri, flet për një  traditë të veçantë të ndërtimit dhe banimit  në periudhën e mesjetës së vonë. Në  qendër të kësaj dhome është vendosur sinia e madhe e punuar në reliev, sipër saj janë vendosur kompleti i ushqimit që është shumë i bukur dhe funksional. Në mafilin e  kësaj dhome qëndronin gratë e shtëpisë kur miqtë nuk ishin të afërm të familjes dhe nuk ishte në moralin e kohës ekspozimi ndaj të pa njohurve. Kur miqtë ishin të afërm, gratë mernin pjesë së bashku dhe në mafil qëndronin arapkat (shërbyeset) ose fëmijët, të  cilat i kishin të gjitha kushtet e domosdoshme për të qëndruar atje, duke marrë pjesë në ceremoni, pa u parë nga miqtë të cilët, pengoheshin nga kafazi i drunjtë që mbyllte dritaret e mafilit.  Nëpërmjet dritareve me grila druri gratë  ndiqnin gjithë veprimtarinë  e burrave. Ndërsa burrat nuk kishin mundësi për ti parë ato. Në këtë dhomë kemi mindere të ulët,  të cilët, përdoreshin për ndejtje dhe fjetje. Të gjitha shërbimet që i bëheshin mikut, si shtrimi i ushqimit, larja e duarëve dhe këmbëve, shtrimi i jastakeve  të fjetjes, si dhe  shërbime të tjera  bëheshin nga burrat e shtëpisë. 
Shumë  domethënëse  dhe me një zgjidhje funksionale është dera e dhomës së miqve të qytetit. Kjo derë ëshë dy funksionale, e cila hap derën e miqve burra dhe njëkohësisht mbyll atë  të  shkallëve të mafilit të grave dhe e kundërta hap derën e mafilit  mbyll derën e dhomës së  burrave.  Sipas traditës  kur vinte miku, para se të hynte në këtë dhomë dorëzonte armën dhe ishte në besën e të zotit të shtëpisë, kur ikte nga shtëpia i jepnin armën  duke e përcjellë deri te porta e jashtme.