MUZEU ETNOGRAFIK

Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit.


Në katin përdhes një rrugicë e improvizuar e pazarit mesjetar, paraqet nëpërmjet objekteve të ekspozuar zeje përfaqësuese dhe më të zhvilluara të trevës; qëndistarinë, argjendarinë, punimin e bakrit dhe veshje e zbukurime që flasin për nivelin aristokratik të jetës së shtresave të mesme e të pasura qytetare. Në pjesën e hapur të hajatit janë prezantuar zeje që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë për nevoja familjare. Hajati lidhet në mënyrë të natyrshme me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte gurgdhendjeje dhe qeramike. Në katin e sipërm në mjediset e dhomave të banesës paraqitet mënyrën e jetesës, organizimi, traditat e zakonet në një familje qytetare të pasur në Mesjetën e Vonë.

Pazari Mesjetar

Imitimi i një rrugice në të dyja anët e së cilës gjenden dyqane të vogla prej druri me qepena, ku prodhoheshin, ekspozoheshin e shiteshin artikuj të ndryshëm si: tekstile të qëndisura me ar e argjend, aksesorë për gra e burra argjend e bronz, kostume prej shajaku, këpucë e punime bakri.

Hajati

Në hajatin e hapur janë ekspozuar objekte duke prezantuar zeje që ushtroheshin në kushte shtëpiake e për nevoja familjare;kompleksi i prodhimit te vajit, mëngra me presën e drunjtë, kovaçana,kazani i rakisë çarku i poçarit, që flasin për nivel të lartë të ushtrimit të këtyre mjeshtërive.

Çardaku

Çardaku është mjedisi kryesor i banesës, tërësisht, i konstruktuar me dru,i hapur e pa tavan. Strehët e gjera e të dala krijojnë lehtësi në kryerjen e aktivitetit familjar e artizanal në muajt e ngrohtë të vitit. Qoshku është element i veçantë dhe i preferuar i çardakut pajisur me qilima e flokje. Hapësira e madhe, mundësitë për të pushuar dhe soditje bënin çardakun mjedisin më të frekuentuar nga familjarë në të cilin zhvilloheshin edhe festat familjare.

Dhoma e Punës

Është mjedisi që përdorej nga gratë për punë e qëndrim, ndërsa vajzat përgatitnin pajën. Në të janë të ekspozuara tezgjahët dhe objekte pune për endjen e tekstileve të leshit,pambukut,mëndafshit, qëndisjen etj.

Oda e Miqve

Është mjedisi më i rëndësishëm në banesën tradicionale e vlerësuar për elementët arkitektonike e dekorativë i destinuar për nderimin e miqve dhe zhvillimin e ceremonive familjare. Bie në sy eleganca e oxhakut, dollapët e murit,tavani i zbukuruar, kompleksi musëndër–mafil, minderet me velenxa, qilima dhe servisi i ushqimit ne qendër.

Koleksioni i Muzeut Etnografik

Paftë

Pjesë e kostumeve të grave aristokratike të Beratit. I përket mesit të shek.XIX dhe është realizuar në argjend me teknikën e derdhjes e gdhendjes.

Sixhade

I përket fillimit të shek.XX. Realizuar në material leshi, prodhimi artizanatit shtëpiak për zbukurimin e murit. Është pjesë e pajës së nuses.

Jelek

Pjesë e kostumit tradicional të vajzave e nuseve të reja të Beratit. I përket fundit të shek.XIX Material kadife i importuar,e qëndisur me fill ari e kordona të ndryshme. I përdorur gjerësisht në ceremoni familjare e festa kombëtare.

Sako

Veshje e grave të aristokracisë qytetare beratase.I përket mesit të shek. XIX,material cohë e importuar,e qëndisur me fill e gajtan ari. E përdorur gjerësisht në festa kombëtare e ceremoni familjare.

Tabaka

Tabaka për servirje i përket fillimit të shek.XX,material argjendi punuar me teknikën e filigranit.

Mangall

Mangalli me kapak është përdorur gjerësisht në familjet e pasura dhe të shtresës së mesme. I përket mesit të shek XIX. Është punuar në bronz dhe bakër me teknikën e derdhjes e rrahjes. Shërbente për ngrohjen dhe zbukurim të banesës.

Servisi i Ushqimit

Servisi i ushqimit në familjet e rëndësishme të qytetit përbëhej nga një sini e madhe prej bakri e zbukuruar në reliev me figura gjeometrike e bimore. Në të vendoseshin sahanët me kapak, lugët, pirunjtë thikat etj. Të larë në argjend me zbukurime me ndikime orientale.

Relikuari

Një objekt i veçantë e jo i zakonshëm që i përket periudhës paleokristiane i realizuar në mermer dhe i zbukuruar me elemente dekorative nga të gjitha anët. Mendohet se mund të jetë përdorur si mbajtëse relikesh të shenjtorëve.

© 2019. Të gjitha të drejtat e rezervuara
Design & Development by GO DIGITAL MEDIA