RRETH NESH

Qendra Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “muze kombëtar” në vartësi të Ministrisë së Kulturës me seli në qytetin e Beratit e cila administron “Muzeun Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik.

Muzeu I Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.

Muzeu Ikonografik Onufri

Muzeu i Ikonografisë Onufri është organizuar në ambjentet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit.

Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik ndodhet, në zonën e mbrojtur shume pranë qendrës historike (lagjeve Mangalem, Kala). Ai është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit, me dy kate me çardak në një krah, ndërtuar në fillim të shek XVIII. Vëmendje kryesore në këtë banese i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit që zë tërësisht katin përdhes dhe çardakut në katin e sipërm i cili komunikon me të gjitha dhomat, që shërbenin për të qëndruar, punuar, gatim, ngrënie, fjetje.

© 2019. Të gjitha të drejtat e rezervuara
Design & Development by GO DIGITAL MEDIA